Hudejbije

Hudejbije

Hudejbije ndodhet jashtë kufijve të Haremit, në veriperëndim të Mekës së Shenjtë, 24 km nga Mesxhid-i Harami, në vendin që sot quhet Shumejsi. Betimi i Ridhvanit dhe Marrëveshja e Hudejbijes u kryen këtu. Pas gjashtë viteve të Hixhretit, emigrantët (Muxhahiret) kishin shumë mall për vendlindjen e tyre, familjet e mbetura në Mekë dhe për vizitën e Qabes. Siç përshkruhet në ajetin 28 të sures El-Fet'h, Pejgamberi (s.a.v.) para se të nisej për në udhëtim, kishte parë në ëndërr se ai dhe shokët e tij hynin në Meken e Shenjtë dhe kryenin umren në paqe. Në vitin e 6-të të Hixhretit, Pejgamberi (s.a.v.) me rreth 1400 shokë u nis për të kryer umren dhe arritën deri te pusi i Hudejbijes (Shumejsi). Kurejshitët dërguan kalorës për t'i penguar ata të hynin në Meken e Shenjtë. Pejgamberi (s.a.v.) dërgoi disa shokë për të biseduar me Kurejshitët dhe për t'u shpjeguar qëllimin e tyre, por nuk arritën sukses. Pastaj dërgoi Osmanin (r.a.), i cili u tha atyre se qëllimi i tyre ishte vetëm vizita e Qabes dhe se do të ktheheshin në Medinën e Nderuar pas përfundimit të umres. Ata thanë se vetëm Osmani (r.a.) mund të vizitonte Qaben dhe nuk do të lejonin të tjerët. Osmani (r.a.) refuzoi të pranonte këtë pa Pejgamberin (s.a.v.) dhe shokët e tij, Kurejshitët nuk e pelqyen kete pergjigje dhe për këtë arsye Osmanin (r.a.) e burgosen. Kur Pejgamberi (s.a.v.) mori lajmin se Osmani (r.a.) ishte vrarë, ai thirri shokët e tij për t'i betuar besnikërinë dhe për të marshuar drejt Mekës për ti ndëshkuar për këtë akt. Muslimanët bënë betimin e Ridhvanit nën një pemë, duke premtuar se do të luftonin deri në fund kundër mushrikëve.

فَعَلِمَ مَا ف۪ي قُلُوبِهِمْ فَاَنْزَلَ السَّك۪ينَةَ عَلَيْهِمْ وَاَثَابَهُمْ فَتْحًا قَر۪يبًاۙ ﴿١٨﴾ وَمَغَانِمَ كَث۪يرَةً يَأْخُذُونَهَاۜ وَكَانَ اللّٰهُ عَز۪يزًا حَك۪يمًا﴿١٩﴾

“Pa dyshim që Allahu është i kënaqur me besimtarët kur ata bënë betimin nën atë pemë. Ai e dinte çfarë kishte në zemrat e tyre dhe zbriti qetësinë mbi ta dhe i shpërbleu ata me një fitore të afërt dhe shumë plaçka që do të marrin. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Surja El-Fet'h, 18-19).

Kur mushrikët dëgjuan këtë, vendosën të bëjnë paqe. Osmani (r.a.) u kthye i sigurt. Kurejshitët shprehën dëshirën për paqe dhe u nënshkrua Marrëveshja e Hudejbijes, e cila fillimisht dukej në disfavor të muslimanëve, por në realitet ishte një fitore. U therën kurbanët dhe u kthyen pa kryer umren. Ëndrra e Pejgamberit (s.a.v.) u realizua vitin e ardhshëm, në Dhil-Kade të vitit 7 të Hixhrit (Mars 629), dhe umreja e kryer u quajt "Umretul Kazâ". Vendi ku u bë marrëveshja është afërsisht 1 km në lindje të Shumejsit, pranë një varreze. Sipas studimeve, vendi i përmendur në Kur'an si "nën pemë" është pranë varrezave të përmendura. Në lindje të Shumejsit, rreth 2.5 km larg, ndodhet një monument që shënon kufirin e Haremit.