Mali Sevr dhe Shpella Sevr
Mali Sevr: Ndodhet në jug të Mesxhid-i Haramit, rreth 4 km larg, në rrugën për në Arafat. Nga baza deri në majë, mali është 458 metra i lartë dhe arritja në majë me këmbë zgjat rreth 1orë e 30 min. Profeti Muhammed (s.a.v.) dhe Ebu Bekri (r.a.) u fshehën në këtë shpellë për tre net gjatë Hixhretit.
Shpella Sevr: Kur mbërritën,tek shpella, Ebu Bekri hyri i pari për t'u siguruar se nuk kishte asgjë të rrezikshme dhe më pas hyri Profeti Muhammed (s.a.v.). Gjatë kohës që qëndruan në shpellë, djali i Ebu Bekrit, Abdullah, përshkonte qytetin ditën për të mbledhur informacione dhe natën i sillte ato në shpellë. Shërbëtori i Ebu Bekrit, Amr ibn Fuhejre, kulloste delet afër shpellës për të fshirë gjurmët e Abdullahut dhe për t'u ofruar qumësht.
Në këtë shpellë ndodhën tre mrekulli:
- Shërimi i Ebu Bekrit: Kur një gjarpër e pickoi Ebu Bekrin në këmbë, Profeti Muhammed (s.a.v.) e shëroi menjëherë duke lyer vendin me pështymën e tij të bekuar.
- Mbulesa natyrore: Pasi hynë në shpellë, me urdhërin e Allahut, një merimangë bëri rrjetë në hyrje të shpellës dhe një çift pëllumbash ndërtuan fole.
- Mbrojtja nga armiqtë: Kur politeistët mbërritën te hyrja e shpellës dhe njëri nga ata donte të hynte brenda, Umajje bin Halef e ndaloi duke thënë: "Çfarë bën atje? Je çmendur? Aty është vendi ku Muhammedi nuk mund të ketë hyrë sepse merimanga ka thurur rrjetën e saj shumë kohë më parë dhe pëllumbat kanë ndërtuar fole".
Ebu Bekri tha: "Kur politeistët iu afruan shpellës, mund ti shihnim këmbët e tyre. Thashë: 'O i derguari i Allahut , nëse e ulin kokën, do të na shohin.' Profeti Muhammed (s.a.v.) u përgjigj: 'Mos u shqetëso, o Ebu Bekr, ne jemi tre dhe i treti është Allahu.'"
Profeti Muhammed (s.a.v.) kaloi netët e xhuma, të shtunë dhe të dielë në shpellë. Tre ditë dhe tri netë qëndrimi në shpellë ishte një masë paraprake që politeistët të besonin se ata ishin larguar nga rrethinat e Mekës. Pas tre ditësh, sipas planit të paracaktuar, udhërrëfyesi Abdullah bin Urejki mbërriti te mali me dy devetë e tyre dhe devën e tij në mëngjes të së hënës, dhe nisën rrugën për në Medinë nga rruga bregdetare.